Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se Kosova dhe Serbia pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të pranohen në Bashkimin Evropian.
Në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë në Kuvendin e Kosovës, eurodeputetja tha se derisa nuk ka një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes, i tërë rajoni do të ketë ndikime të huaja për të prishur stabilitetin e BE-së.
“Pa një marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pranimi në BE nuk do të ndodh për dy vendet. BE-ja duhet t’i shërbejë Kosovës dhe Serbisë për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes. I gjithë rajoni do të vazhdojë të jetë një tokë për ndikimet huaja dhe për të prishur stabilitetin e BE-së, siç e kemi pa në Bosnje”, tha ajo.
Duke u ndërlidhur me mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën, kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Romeo Franz, tha se Kosova e meriton dhe ka plotësuar gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave.
“E kuptoj shumë mirë se mund të ndiheni të lënë anash nga disa vende në BE, mirëpo në Parlamentin Evropian është një konsensus i gjerë se Kosova e meriton dhe ka nevojë për vëmendjen tonë të vazhdueshme. Kur kemi të bëjmë me liberalizimin e vizave ne jemi aleat të juaj të palëkundur, ne nuk kemi t’iu bindim për këtë, ju e dini këtë. Disa vende akoma po hezitojnë për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Të jeni të bindur qartë për këtë se liberalizimi i vizave ka të bëjë me mbajtjen e premtimeve të BE-së, premtime këto që janë dhënë para tri vitesh”, deklaroi ai.
Sipas raportit të Parlamentit Evropian të lëshuar këtë vit, sikurse edhe në vitin e kaluar, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.