Një koleksion nga veprat e piktorëve të Juglindjes nisi serinë e ekspozitave shëtitëse. Ekspozita “Mio, bashkëkohësit dhe artistët e rinj” me vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve u hap në galerinë e arteve të Pogradecit. Ekspozita vjen e kuruar nga studiuesja Suzana Varvarica. Në “Mio, bashkëkohësit dhe artistët e rinj” me vepra nga fondi i nga Galerisë Kombëtare të Arteve është prezantimi i krijimtarisë së artistëve, që lindën e krijuan në aksin juglindor të Shqipërisë. Punime në pikturë, skulpturë, grafika, etj, janë pjesë e kësaj ekspozite, ku nuk mungojnë dhe vepra të piktorit Anastas Kostandini (Taso). Në këtë ekspozitë Kostandini tregon se ka një pikturë “Lasgush Poradeci” e vitit 1987 dhe një peizazh peshkimi natën me varka. Por Kostandini shprehet se një tur i tillë me veprat e artit, që janë pjesë e fondit nuk është i lehtë. “Veprat e fondit të GKA udhëtojnë nëpër Shqipëri në vendet ku janë krijuar. Është një fat, që e meriton qyteti i Pogradecit. Një tur i tillë nuk i lehtë, sepse GKA do kondita shumë të përcaktuara, qoftë teknike, ekspozicionale, etj. Për fat galeria e Pogradecit përderisa ekspozita u hap aty mendoj se i plotëson disa kondita. Fakti që është hapur në Pogradec është një shenjë e mirë për qytetin tonë turistik, ku përfshihen Korça, Pogradeci, Elbasani. Dihet që kryeqendra e pikturës është Korça me Mion dhe autorë të tjerë të njohur, që janë në këtë ekspozitë”, thotë piktori Kostandini. Vepra nga koleksioni i GKA janë ekspozuar në një galeri qyteti, por sipas piktorit Kostandini përballë problemeve që janë sot për ekspozimin veprave nëpër qytete të ndryshme Korça nuk i plotësonte kushtet. “Kjo ekspozitë mund të hapej në Korçë, por ajo si ka konditat për ta bërë një gjë të tillë, kurse galeria e Pogradecit i plotëson disa kondita”, thotë Kostandini.
Prezantimi i krijimtarisë
Pogradeci e hapi i pari udhëtimin e veprave të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve nëpër Shqipëri, me ekspozitën “Mio, bashkëkohësit dhe artistët e rinj”. Në tekstin kuratorial thuhet se gjatë dhjetëra viteve, veprat e tyre u zgjodhën nga GKA për cilësinë artistike dhe vlerën e tyre historike. Vangjush Mio, piktori i peizazhit dhe jo vetëm, u bë artisti më në zë i fillim shekullit XX, bashkëkohësit e tij dhe artistët me të rinj të qyteteve Elbasan, Librazhd, Pogradec e Korçë, që ndoqën rrugën në artet pamore gjatë shek. XX dhe në kapërcyell të atij XXI, krijojnë atmosferën ekspozuese figurative të një rëndësie të veçantë. “Ajo lidhet me psikologjinë shqiptare dhe mendësitë e imagjinatës së artistëve, që fiksuan me figura, ngjyrat e volume një kohe të caktuar sociale dhe historike”, thuhet për ekspozitën. Vepra të autorëve Vangush Mio, Fiqiri Progri, Guri Madhi, Rafael Dembo, Vangjel Zengo, Androniqi Zengo, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili, Anastas Kostandini, Koço Ristani, Roland Karanxha, Spiro Xega, Vasillaq Kolevica, Arif Lushi, etj, janë pjesë e ekspozitës. Veprimtaria e organizuar nga GKA “Psikologjia shqiptare në artet pamore”, kryhet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Koncepti kuratorial i kësaj veprimtarie multikulturore, sipas GKA lidhet me organizimin e disa ekspozitave, të cilat janë përgatitur të hapen në galeritë e artit të disa qyteteve të Shqipërisë.