Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se nisma rajonale “Open Balkan” nuk e pengon dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e cilësoi të domosdoshëm, por tha se e ndihmon atë.
Ai, në një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë në Beograd, tha se Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës, por në fund të procesit të dialogut që zgjidh krejt çështjet mes dy vendeve dhe jo në fillim të tij.
“Ky proces nuk interferon me dialogun e domosdoshëm mes Serbisë dhe Kosovës, por në këndvështrimin tim e lehtëson dialogun dhe e bën atë që ka bërë një proces shumë i ngjashëm pas Luftës së Dytë Botërore mes Gjermanisë dhe Francës. Keni dëgjuar sa shpesh thuhet që Serbia duhet të kërkojë falje dhe unë jam shumë dakord që Serbia duhet të kërkojë falje. Kërkimi i faljes nga Serbia është kapaku që i duhet vënë një dialogu që duhet të zgjidhë të gjitha çështjet dhe duhet t’i japë zgjidhje përfundimtare njohjes së Kosovës nga Serbia. Aty ku dalloj unë me ata që ma vënë përpara faljen për të më treguar se sa unë jam tradhtar është që unë them që falja vjen në fund, nuk mund të vijë në fillim”.
Rama mori si shembull Gjermaninë dhe Francën duke thënë se paqja mes tyre nisi pikërisht me marrëveshje të llojit si ato që dalin nga “Open Ballkan”, njofton Klankosova.tv.
“Nuk ka ardhur kërkesa e faljes së Gjermanisë në 1945, por ka ardhur në 1969 dhe deri atëherë Franca dhe Gjermania kanë bërë gjithçka përveçse kanë arritur paqen përfundimtare dhe faljen dhe e kanë filluar ekzaktësisht siç po ndodh me Ballkanin e Hapur – me marrëveshje të natyrës ekonomike, traktatin e qymyrit e çelikut, me shkëmbimet e njerëzve, të të rinjve dhe kështu me radhë, sepse në këtë mënyrë krijohet atmosferë tjetër dhe ndërveprimi që krijon procesi dhe të kuptuarit në realitetin e gjerë të interesave të përbashkëta që lidhen drejtpërdrejt me interesat e njerëzve. Njerëzit nuk mund të presin që të zgjidhet ky konflikt për sa kohë jemi në paqe. Paqja kërkon ushqim, mirëqenie, edukim dhe të gjithë të tjerat dhe këto nuk mund t’i mohohen njerëzve në emër të një ideje që këtu nuk ka dialog nëse ne nuk na kërkohet falje, sepse nuk funksionon dhe nuk ka për të funksionuar”.
“Sigurisht që “Ballkani i Hapur” nuk është çelës magjik, por është proces që ndihmon në këtë aspekt. Ama e kundërta, pra refuzimi për ta parë “Ballkanin e Hapur” si mundësi është falimentim i sigurt i çdo rruge kokëfortësie dhe ndeshje me brirë në kushtet kur s’kemi luftë, por kemi konflikt të trashëguar nga lufta që duhet ta zgjidhim”.