Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar sot se do të ndihmojnë Telekom-in me 1 milion euro për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës.
Gjatë vizitës në Telekom sot pasdite, Rizvanolli tha se Qeveria është e përkushtuar që ta mbështesë Telekomin në rrugën e rimëkëmbjes.
“Qeveria është e përkushtuar që ta mbështesë Telekomin në rrugën e rimëkëmbjes nga një vazhdimësi e keqmenaxhimit shumëvjeçar. Keqmenaxhim, i cili jo vetëm që e ngadalësojë zhvillimin, por edhe shkaktoi një trend negativ financiar e shërbime të denigruara”, ka thënë ajo.
Sipas saj tani këtë vit, Telekomi ka ngritje të të hyrave prej 8%, e ulje të shpenzimeve prej rreth 9%, dhe se për herë të parë që nga viti 2015, Telekomi bilancin financiar e ka pozitiv po të mos ishte pakoja dalëse e punëtorëve për eliminimin e pozitave të dyfishuara.
Ajo poashtu ka deklaruar se gjatë javëve në vazhdim do ta mbështesim Telekomin që të zgjerojë rrjetin edhe në komunat veriore të vendit. Ndërsa, me investimet e planifikuara për vitin e ardhshëm, Telekomi do të fillojë migrimin e plotë në kodin telefonik të Kosovës +383/221-01, e gjithashtu konsumatorët do të vërejnë përmirësimet në shërbim që në muajin mars dhe prill të vitit të ardhshëm.


