Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se “Ballkani i Hapur” lehtëson dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se kërkim-falja e Serbisë ndaj Kosovës duhet të vijë në fund e jo në fillim.
Rama këto komente i bëri në një konferencë për medie me gazetarët shqiptarë pas takimit që zhvilluan në Beograd.
Kryeministri shqiptar u shpreh se kërkim-falja nga Serbia është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që do zgjidhte të gjitha çështjet dhe që do i japi zgjidhje përfundimtare njohjes së Kosovës nga Serbia.
“Ky proces nuk interferon me dialogun e domosdoshëm në mes Serbisë dhe Kosovës por sipas mendimit tim e lehtëson dialogun mes Serbisë dhe Kosova dhe bënë atë që ka bërë një proces shumë i ngjashëm pas Luftës së Dytë Botërore mes Gjermanisë dhe Francës. Ju keni dëgjuar që sa shpesh thuhet që Serbia duhet të kërkojë falje dhe unë jam shumë dakord që Serbia duhet të kërkojë falje, kërkimi i faljes nga Serbia është kapaku që i duhet vënë përfundimisht një dialogu që do zgjidhte të gjitha çështjet dhe që do i japi zgjidhje përfundimtare njohjes së Kosovës nga Serbia. Por aty ku dalloj unë me ata që ma vënë përpara faljen për të më treguar se sa jam unë tradhtar është se unë them se falja vjen në fund, nuk mund të vijë në fillim. Nuk ka ardhur kërkesa e faljes së Gjermanisë në 1945, ka ardhur në 1969 dhe deri atëherë Gjermania dhe Franca kanë bërë gjithçka përveç se kanë arritur paqen përfundimtare dhe faljen… Njerëzit nuk mund të presin që të zgjidhet ky konflikt për sa kohë jemi në paqe, paqja kërkon ushqim, kërkon mirëqenie, edukim, dhe kjo gjë nuk mund t’i mohohet në emër të një ideje që këtu nuk ka dialog pa kërkuar falje sepse nuk funksionon dhe nuk ka për të funksionuar”, shpreh Rama.
Rama tha se ky proces sjellë vetëm të mira dhe refuzimi i “Ballkanit…” do të thotë t’i mohosh vendit tënd të mirat që i sjell procesi.
“Refuzimi për ta parë Ballkanin e Hapur si një mundësi është falimentim i sigurt i çdo rruge kokëfortësie dhe ndeshjeje me brirë në kushtet kur nuk jemi në luftë, kemi një konflikt të trashëguar nga lufta që duhet ta zgjidhim dhe në këtë pikë nuk ka asnjë dyshim mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe mes atyre që Serbia duhet ta njoh Kosovën… Nuk gjykoj dhe nuk marrë vendime në emër të Kosovës por është e sigurt që ky proces sjell vetëm të mira ta refuzosh këtë proces do të thotë thjesht dhe vetëm t’i mohosh vetes, t’i mohosh vendit tënd, t’i mohosh popullit tënd të mirat që i sjell procesi”, tha ai.
I pyetur se a do përpiqet ta bind Kosovës që t’i bashkohet nismës për “Open Ballkan”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nuk bënë përpjekje për t’u imponuar dhe aq më pak kur nuk ka degë të Partisë Socialdemokrate në Kosovë, një thumb ndaj kryeministrit aktual të Kosovës dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka një qendër në Tiranë.
“Ne kemi një marrëdhënie speciale me Kosovën që nuk varet, as nga ‘Open’, as ‘Close Ballkan’ ne me Kosovën jemi komplet speciale kjo nuk ka nevojë as për diskutim edhe bëjmë çmos që marrëdhënien me Kosovën ta kemi sa më cilësore në aspektin e gjitha çështjeve që lidhen me ndërveprimin në mes Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin ekonomik, tregtar, por përsëri tjetër është një marrëdhënie bilaterale mes dy ekonomike të vogla, mes dy vendeve sidoqoftë të vogla dhe tjetër është një ndërveprim multilateral n]ë një hapësirë shumë më të madhe… Unë nuk bëj asnjë përpjekje për t’u imponuar është vendim sovran i atyre që kanë marr votën dhe kanë mandatin për të vendosur në Kosovë, nuk është përgjegjësia dhe as e drejta ime që të ndërhyrë në atë proces aq më tepër që ju e dini që nuk kam degë të Partisë Socialiste në Kosovë, nuk jam subjekt elektoral në Kosovë ”, theksoi kryeministri shqiptar.
Rama tha se Ballkani i Hapur ka qenë një domosdoshmëri kohë më parë dhe se ky proces ka kornizën e Procesit të Berlinit.
“Kjo nismë ka qenë një domosdoshmëri kohë më parë sesa të lançohej kur ne e kuptuam se Procesi i Berlinit ishte i destinuar të të kthehej në një proces samitesh dhe deklaratash pa pasojë të drejtpërdrejtë, zbatimin e atyre që thuash. Sepse Procesi i Berlinit ka një vizion që qind për qind vizion i Ballkanit të Hapur, ka një kornizë qind për qind të atij Procesi dhe ka një set kriteresh që janë qind për qind set i Ballkanit të Hapur por nuk është një proces që drejtohet për ditë nga ata që janë në Berlin apo Bruksel, dhe për këtë arsye mbetet çdo gjë në kuadër të deklaratave dhe marrëveshjeve që nuk zbatohen. Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të projektit, kështu quhet njësia që ngrihet në çdo vend dhe në çdo institucion zbatohet një projekt me fonde të huaja… Nuk është një proces personash, sigurisht janë personat shumë të rëndësishëm në ecurinë e një ecurie të caktuar por është një proces i imponuar nga domosdoshmëria e vendeve nga interesi strategjik i këtyre vendeve për të rritur kapacitet e tyre ekonomike për të fuqizuar përmes zgjerimit të hapësirës shoqëritë e këtyre vendeve dhe patjetër për të fuqizuar përmes këtij bashkëpunimi edhe një proces paqeje”, deklaroi Rama.
Pas situatës politike të krijuar në Maqedoninë e Veriut, Rama është shprehur i bindur se ky shtet nuk do e braktisë nismën për Ballkanin e Hapur.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov sot kanë zhvilluar në Beograd disa takime në kuadër të nismës Ballkani i Hapur. Pas takimit u bë e ditur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama se në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, takimi i radhës do zhvillohet në muajin dhjetor në Tiranë, derisa kritikoi Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën për refuzimin për t’iu bashkuar kësaj iniciative.