Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, të premten ka shfaqur planet e tij për lagjen “Kodra e Trimave”.
Ai ka thënë se nëse do të zgjedhet kryetar i Prishtinës do të angazhohet për rigjenerim të zonës që sipas tij do të fillojë me projektin e tulltores që do të shndërrohet në muze të artit modern.
Në këtë pikë do të krijohet një parking nëntokësor me një platformë urbane që do të lidh “Kodrën e Trimave” me qendrën.
Rama kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që ta përmirësojë mirëqenien qytetare dhe të mos humbë kohë me fushatën në përkrahje të rivalit të Ramës për Prishtinën, Arben Vitisë.
E vetë Rama, të premten nuk u mor me fushatë, pasi ishte i përfshirë në aktivitetet për shënimin e përvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit.