E marta shënoi një prej seancave më të gjata e më të zëshme në Hagë.
Mbrojtësit e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nuk i kursyen fare akuzat për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Mbrojtësi i Kadri Veselit, Ben Emmerson theksoi faktin se ZPS nuk i ka përfunduar akoma hetimet për katërshen, e mbrojtjes nuk i kanë dorëzuar akoma listën e plotë me dëshmitarë e madje as disa përkthime, për të cilat e kanë afat 27 shtatorin.
“Kemi të bëjmë me një prokurori që nuk ka kredibilitet në aspektin e parashikimit të zhvillimit të gjykimit, nuk kanë ide për çfarë volumi materialesh bëhet fjalë e kur dorëzohen dhe ne nuk e dimë se kur mund të nis gjykimi dhe kur do të jetë çështja e gatshme për gjykim. Duhet të merren masa ti jepet fund kësaj sjellje joprofesionale të prokurorisë.” – deklaroi ndër të tjera Emmerson.
Këtij iu tërhoq vërejtja që në seancë të mos përdorë gjuhë acaruese sepse paraprakisht Emmerson i quajti akuzuesit edhe gënjeshtarë.
“Të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim me shpresën se prokuroria do të ishte e gatshme dhe ne duhet të dinim se sa do të zgjatë afati paragjyqësor dhe prokuroria thoshte se ne po sajonim gjëra për të siguruar lirimin me kusht. Ne kemi pyetur edhe përpara, dhe tani duam ta dëgjojmë kolegen (prokuroren) TË KËRKOJË FALJE për këtë, ngase klientët tanë po vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim. Ata na kanë gënjyer të gjithëve si të thuash sepse ata e kanë ditur.”
Prokurorja nuk kërkoi falje. Ndërkaq arsyetim kryesor për vonesat e pati pandeminë që sipas saj po e kufizon stafin që të punojë nga zyra e kësisoj nuk kanë qasje në databazë as për t’i nënkategorizuar dokumentet. Mbrojtësit vlerësuan gjatë konferencës se prokuroria është vite larg të qenit gati dhe pandeminë e vëllimin e dosjeve i kanë ditur qysh kur i kryen arrestimet e para në nëntor 2020. E nëntori i sivjetmë do të jetë afati i fundit për prokurorinë për nja 4 çështje, ndër to nxjerrja e materialeve për tre dëshmitarë ndërkombëtar, tre ekspertë mjekoligjor si dhe u urdhërua ZPS që deri më 23 tetor t’i ofrojë mbrojtjes listën paraprake të dëshmitarëve.