Kombëtarja e Kosovës do të rikthehet sot në aksion kundër Gjeorgjisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katari 2022”.
Dardanët e drejtuar nga Bernard Challandes i kanë nisur keq ndeshjet e kualifikimeve duke humbur dy lojët e para – kundër Spanjës me rezultat 1-3 dhe kundër Suedisë 0-3.
Opinionistët e futbollit Arben Zeqiri, Arsim Prepolli dhe Genc Sermaxhaj në një intervistë për Klankosova.tv. kanë folur lidhur me ndeshjen e sotme duke thënë se e shohin Gjeorgjinë si kundërshtar serioz që nuk duhet nënvlerësuar.
Opinionisti Arben Zeqiri tha se Gjeorgjia është kundërshtar serioz që mund ta vë Kosovën në vështirësi.
“Ndeshje jo e lehtë aspak. Gjeorgjia është kundërshtar serioz i cili do të na vë në vështirësi të mëdha nëse ndjehemi inferior ndaj tyre. Selektori i Gjeorgjisë, Willy Sagnol, para ndeshjes dje deklaroi që ka respekt për Kosovën por tre pikët janë të domosdoshme për ne duke na bërë kështu me dije që ata do të na sulmojnë nga fillimi, andaj uroj e shpresoj për një ndeshje perfekte nga tanët përndryshe do të jetë e vështirë t’i rezistojmë intensitetit të presionit të lartë të tyre”.
Ai tha se Challandes duhet t’i kundërpërgjigjet kundërshtarëve duke ia neutralizuar lojën.
“Uroj që Challandes të ketë mësuar nga këto disfatat e fundit në vazhdimësi dhe t’i qaset dhe kundërpërgjigjet faktikisht secilit prej kundërshtarëve duke ia neutralizuar lojën e kundërshtarit me modalitetet dhe variante taktike në mënyrë që të marrim rezultate pozitive. Në futbollin e kohës, veçmas kur luan me një kundërshtar që e ka përparësinë e terrenit vendas, secilit prej kundërshtarëve duhet t’i kundërpërgjigjesh faktikisht në vendosje për të dominuar numerikisht në secilën prej zonave të fushës, e këtë mundet ta bëjnë futbollistët tanë, nëse i marrin detyrat e tilla nga trajneri, nëse motivohen e janë unik për të gjithë për një qëllim gjatë gjithë 90 minutave”.
Edhe opinionisti Arsim Prepolli tha se ndeshja ndaj Gjeorgjisë nuk do të jetë e lehtë, megjithatë pret rezultat pozitiv për Kosovën.
“Sigurisht që ndeshja ndaj Gjeorgjisë, por as të tjerat nuk do të jenë të lehta për ne. Në çdo lojë duhet të hymë të qetë, të disiplinuar dhe të japim maksimumin. Unë mendoj që ndaj Gjeorgjisë do të dalim fitues. Është e vërtetë që duhet mentalitet fitues dhe duhet të rritet morali pa marrë parasysh se më kë luan. Për Kosovën nuk ka ndeshje të lehta, sepse nuk jemi Gjermania e Italia. Duhet ta kuptojmë që jemi Kosova”.
Teksa Genc Sermaxhaj mendon se Kosova dhe Gjeorgjia janë përafërsisht me nivel të njëjtë.
“Pres që Kosova do të ketë paraqitje të mirë dhe do të marrë rezultat pozitiv, ngase Kosova dhe Gjeorgjia janë përafërsisht me nivel të njëjtë. Kosova duhet t’i qaset ndeshjes me kujdes të shtuar duke kërkuar që vazhdimisht të vijë tek rruga e golit”.
Ai tha se Kosova duhet të tregojë karakter dhe dëshirë për fitore nga fillimi i lojës.
“Kosova duhet të ketë kujdes në shpenzimin e energjisë dhe të luajë agresive në detyrat e mbrojtjes. Të tregojë karakter dhe dëshirë për fitore. Të mos ndihet indiferent ndaj kundërshtarit dhe të dëshmojë cilësitë e saj”.
Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, pret se përballja e sotme kundër Gjeorgjisë do të jetë e vështirë.
“Sigurisht që do të jetë ndeshje e vështirë kundër Gjeorgjisë e ku dihet që Kosova do të luajë si mysafir. Nuk ka kundërshtar të pakalueshëm dhe kjo varet se si do t’i qasemi ndeshjes dhe se a do të ketë mungesa në kombëtaren tonë, por si do që të jetë unë shpresoj për rezultat pozitiv. Tani kur jemi dëshmitarë të gjithë që ka shumë zëra kundër selektorit Challandes edhe ai do të mundohet që të paktën të bëjë të pamundurën për vete, ndoshta më shumë për vete se sa për Kombëtaren tone. Është një lloj testi për vetë Selektorin e Kosovës”.
Edhe Zeqiri, njëjtë si Lushtaku, thotë se ky është momenti i fundit i Challandes që në këto ndeshje të rikthehet me rezultate pozitive ose të japë dorëheqje.
Derisa deklaratën e selektorit të Kosovës se duhet të krijohet mentalitet fitues e cilëson të pamatur dhe emocionale.
“Deklarata e tij ka qenë e pamatur, me emocione, me ndjenjë e humbjes së kontrollit mbi grupit, duke bërë thirrje publike me gjasë që t’i binden futbollistët. Ai paguhet me para të majme për atë punë, t’i drejtojë futbollistët dhe t’i binden mënyrës së tij të udhëheqjes, cilido që nuk i bindet mos ta ftojë, por nëse e sheh që nuk i përgjigjet grupi, duhet të ecë dhe të lirojë vendin e tij. Nga kush po pret Challandes që t’ua ndryshojë mentalitetin lojtarëve. Opinioni, mediat, tifozët?,,, Jooo, ai është koka e ekipit dhe nga dora e tij, ndikimi, autoriteti i tij, ekskluzivisht varet se si do të përgjigjen futbollistët në fushë, është momenti i Challandes që në këtë tri ndeshje me u rikthy te rezultatet pozitive ose me dhënë dorëheqje…”, është shprehur Zeqiri.
E për Sermaxhajn kjo deklaratë qëndron dhe Kosova duhet të ndryshojë mentalitetin për të vazhduar me rezultate të mira.
“Deklarata e Challandes është normale. Kërkon ndryshim mentaliteti dhe kjo është shumë e vërtetë, ndryshe nuk mund të kemi progres. Ai vendos për të gjitha dhe merr përgjegjësinë në fund. Prandaj Kosova është e të gjithëve dhe jo e një individi. Duhet të ndryshohet mentaliteti dhe të vazhdohet me rezultate të mira”.
Edhe Lushtaku ka thënë se deklarata e Challandes nuk është diçka risi, derisa shton se mentaliteti nuk mund të ndryshohet menjëherë brenda natës.
“Ne jemi mësuar tashmë me deklaratat e selektorit Challandes. Për mua kjo është nuk diçka risi sepse mentaliteti nuk ndryshohet brenda natës, por duhet punë dhe harmoni brenda grupit të Kombëtares, sepse vetëm të bashkuar mundemi të krijojmë mentalitet fitues”.
Dardanët do të përballen me Gjeorgjinë në “Batumi Arena” me fillim nga ora 18:00. Kosova gjendet në Grupin B, ku pas dy ndeshjeve është e vetmja ende pa pikë.