Situata po duket shumë e qetë për të pritur se mund të shpërthejë lufta!
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sapo ka alarmuar se Serbia është e gatshme ta shpërthejë luftën e tretë ballkanike, madje këtë e ka pohuar në një medium britanik, në “the Telegraf”.
Ditë më parë, ngjashëm alarmoi eksperti amerikan Janush Bugajski, duke paralajmëruar kthesë dramatike zhvillimesh në Ballkan, se Bosnja është thuajse shumë afër luftës. “Beogradi dhe Moska akuzojnë Qeverinë e Kosovës se po kërcënon të drejtat dhe ekzistencën e pakicës serbe. Një tregim i ngjashëm mund të përdoret kundër qeverisë boshnjake për të justifikuar luftën”, ka shkruar ndër tjerash Bugajski.
Kjo pamje duke edhe më e zymtë, derisa vetë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, e ka shfrytëzuar një vizitë jashtë Beogradit, që ta kërcënojë Kosovën, duke ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme.
Duke vazhduar narracionin e shpjeguar më sipër nga Bugajski, sot (e premte), presidenti i Serbisë, është munduar ta fajësojë Kosovën se po provon destabilitet duke provuar të veprojë në veri për ta vënë nën kontroll një stacion të rëndësishëm të rrymës. “Prishtina po kërkon momentin kur dhe nëse do të ndërhyjë në Vallaç, ndërsa unë i lus që mos ta bëjnë këtë”, ka deklaruar ai në Smederevë, ndërsa sipas tij, Qeveria e Kosovës është përcaktuar që pas 6 nëntorit të ndërhyjë me forcë atje.
Qartazi presidenti i Serbisë po ndërhyn brenda një shteti sovran, madje duke e kërcënuar atë, edhe pse këtë e thotë, me një fjalor ‘lutës’.
Pra, gjuha politike është ndërtuar në komunikimin publik, që për aq sa munden ta fajësojnë Kosovës, fillimisht para opinionit të tyre, dhe më pas para komunitetit ndërkombëtar.
Në këtë linjë komunikimi dhe të propagandimit të rrejshëm ka vepruar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë, nëpërmjet zëdhënëses së saj Maria Zakharova, e cila ndërhyrjen e fundit në veri të policisë e ka konsideruar ‘pushtim’, ndërsa e ka fajësuar Kosovën për ekstremizëm, i cili, po mbështetet nga perëndimi.
Pra, edhe Rusia edhe Serbia, në thelb të propagandës e kanë, mohimin e ekzistencës së shtetit të Kosovës, dhe mbi këtë premisë e ndërtojnë strategjinë e krijimit të problemeve ndaj shqiptarëve.
Sot, edhe eksperti tjetër amerikan Ivan Sascha Sheehan profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimore, flet me doza të mëdha të rrezikut për shpërthim dhune, aq sa ai gati përunjësisht i lutet administratës së presidentit amerikan Biden, që të rikthehet në Ballkan, ta shpëtojnë, si thotë ai, suksesin e vetëm në 30 vitet e fundit.
“Sot, Serbia, prej kohësh agresori, ka kthyer trupat në kufirin midis vendeve të pavarura dhe patrullon kufirin nga qielli me avionë luftarakë të prodhimit rus – kjo është një pamje shqetësuese”, ka thënë ai ndër të tjera.
Ai zgjidhjen nuk e sheh tek europianët, të cilët beson se dominohen nga paligjshmëria, por kërkon që edhe amerikanët t’i japin fund indiferencës.
“Evropianët nuk japin asnjë justifikim përse duhet t’u besohet atyre në Ballkan dhe administrata e Biden nuk tregon shenja të ri-angazhimit me rajonin, por zyrtarët amerikanë duhet të angazhohen edhe një herë. Ajo që zyrtarët amerikanë duhet të kuptojnë është se Amerika jo vetëm që e futi Kosovën në ekzistencë, por gjithashtu solli një demokraci shumëpartiake në një rajon pa histori të tillë. Duke ripërkushtuar veten në Ballkan, Shtetet e Bashkuara mund të shpëtojnë suksesin e tyre të vetëm në shtet-ndërtimin e tridhjetë viteve të fundit, përpara se të dorëzohet para indiferencës amerikane dhe paligjshmërisë evropiane”, ka deklaruar profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimore.
Edhe ekspertë europian, po vlerësojnë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve në Bosnje, të shkaktuara nga serbët e atjeshëm është thuajse e pamundur, kjo pasi serbët po përshpejtojnë në krijimin e një ushtrie të tyre, të ndarë nga federata, ndërsa ka pak gjasa që të njihet detyra e shefit të misionit mbikëqyrës ndërkombëtarë.
Nisur nga kjo tablo rajoni duket se vështirë do ta ketë t’i shpëtojë ndonjë konflikti apo shpërthimi.
Nga njohës të zhvillimeve shqiptare, më qetësisht e ka marrë situatën avokati Spartak Ngjela, i cili pohon se nuk mund të ketë luftë në Ballkan, derisa janë vendosur konditat e reja me krijimin e shtetit të Kosovës, pas ndërhyrjes së NATO-s, duke e vlerësuar edhe si neutralizim të Rusisë në Ballkan.
“… duhet të theksojmë një të vërtetë, e cila sundon momentin historik në Ballkanin Perëndimor. Sot, fenomeni aktual i Ballkanit Perëndimor nuk del dot nga parametrat që NATO-ja vendosi për neutralizimin e rrezikut rus dhe serb në Ballkan; pasi që në vitin 1999 e shkatërroi me luftë ish Jugosllavinë… në vitin 2008 Perëndimi i lartë i njohu Kosovës pavarësinë, e cila garantohet ushtarakisht nga Shtetet e Bashkuara dhe nga NATO-ja”, vlerëson Ngjela.
Mendoj se zgjidhja është më afër ndërmjet këtyre dy pikave ekstreme, rrezikut të konfliktit dhe vijimit paqësor të zhvillimeve.
Shqiptarët janë afektuar shumë rëndë nga Serbia, përkatësisht nga shërbimet inteligjente serbe, sa që shumë vështirë i dallojmë edhe qëndrimet diametralisht të kundërta në politikën e Kosovës, ndërsa qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, tashmë po shihen me shumë shqetësim edhe në Shqipëri, si të padenja për shqiptarët, dhe që janë në interes të hapur të Serbisë.
Pozicionin e shqiptarëve po e dëmton hapur, projekti i dështuar Thaçi-Vuçiq-Rama, pasi këtë po mundohet ta mbajë gjallë vet Rama, me segmente të caktuara të klanit të Thaçit.
Duket se zgjidhja e vetme është një reagim gjithëshqiptarë që përmbledhë të gjitha energjitë si në kohët e vështira të luftës, por tani me shpresë për ta parandaluar atë!