Vijojnë kërkimet për të mbijetuar në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë pas tërmeteve shkatërruese të ditës së hënë. Bilanci i deritanishëm i viktimave flet për mbi 6 mijë e 300 persona të vdekur, por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se shifra e fataliteteve mund të arrijë në 20 mijë.
Skuadrat e shpëtimit po nxitojnë për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat, pasi disa mijëra godina u shembën në të dyja vendet.
Sipas zyrtarëve vendas, mbi 4 mijë e 544 persona kanë vdekur vetëm në Turqi. Ndërsa në Siri bilanci i viktimave flet për 1 mijë e 782 të vdekur. Ndërkohë, 30 mijë e 474 të tjerë në të dyja vendet janë lënduar.
Autoritetet turke kanë deklaruar ndërkohë se mbi 24 mijë anëtarë të skuadrave të emergjencës po ndihmojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nxjerrë të gjallë rreth 8 mijë persona.
Ndihma ndërkombëtare po dërgohen në rajonet e prekura nga OKB, BE, NATO dhe qeveritë nga e gjithë bota.