Presidentja Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje shtetit të Indisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ajo në intervistë për mediumin indian WION’s, ka thënë se Kosova nuk është Kashmir, transmeton Klankosova.tv.
“Ne edhe një herë i bëjmë thirrje qeverisë indiane që së pari t’i njohë vuajtjet e qytetarëve të Kosovës të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe së dyti ta njohë realitetin i cili nuk do të ndryshojë”, është shprehur ajo.
“Është vetëm çështje kohe se kur vende si India do t’u bashkohen vendeve të tjera demokratike gjithandej botës për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
Në këtë intervistë Osmani ka përsëritur atë që është thënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë: Pavarësia e Kosovës është brenda ligjeve ndërkombëtare dhe nuk krahasohet me asnjë vend në botë.
Ajo ka thënë se si Kosova është pavarësuar, dallon me vendet e rajoneve të tjera, përfshirë Kashmirin.
“Është tejet me rëndësi për ne që të kemi marrëdhënie të shëndosha dhe aktive me Qeverinë e Indisë, popullin indian”.
“Shpresoj se do ta kemi së paku një shans për t’u takuar, në mënyrë që zyrtarët indianë ta dëgjojnë anën e tregimit tonë. Është tregim i vuajtjeve, këmbënguljes, por po ashtu edhe për shpresën e pamat për të ardhmen”.
“Ne jemi të lirë dhe të pavarur sot dhe me të vërtetë shpresoj se mund të ulemi me qeverinë indiane që të mund të diskutojmë për përmirësimin e marrëdhënieve tona”.
“Ne jemi duke u përpjekur për këtë dhe shpresoj se do të ketë një përgjigje pozitive. Mendoj se dëgjimi i argumenteve të palës tjetër është më e pakta që dikush mund ta bëjë. Të dëgjohet ana e tregimit tonë, që është e vërtetë e cila është konfirmuar nga gjykata ndërkombëtare, është ajo që ne shpresojmë që mund t’ia tregojmë qeverisë indiane”.