Qeveria vendosi për mbylljen e institucioneve parashkollore deri më 26 shtator për shkak të situatës së rënduar me pandeminë.
Kështu Alberta Alihajdari u detyrua të bëjë një zgjidhje të shpejtë pasi nga puna nuk pati mundësi të lirohet në ditën e parë të javës.
“E kemi dërguar në Istog te prindërit vajzën, se jemi në punë edhe unë edhe burri e sot nuk kemi mund me u liru nga puna”.
Por nga dita e martë ajo do të bëjë zgjidhje për të bijën, sipas vendimit të qeverisë ku njëri prind lirohet nga obligimi për paraqitje në punë.
Drejtoresha e kopshtit “Gëzimi Ynë”, Indire Zenelaj, thotë se prindërit janë lajmëruar nga kopshti qysh të dielën mbrëma për mbylljen.
E për njohësin e dikasterit të arsimit Rinor Qehaja vendimi për mbylljen e çerdheve është i papranueshëm.
Kundër mbylljes së kopshteve të hënën protestoi edhe subjekti opozitar, Partia Socialdemokrate.
Kopshtet do të qëndrojnë të mbyllura deri më 26 shtator, ndërkaq Klan Kosova e pati të pamundur të marrë nga qeveria detaje se si është planifikuar lirimi nga puna i prindërve për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve.