Të privuar nga burimi i tyre i preferuar i ushqimit, bananet, kikirikët dhe të mirat e tjera të sjella nga turistët që tani mbahen larg për shkak të koronavirusit, majmunët e uritur në ishullin turistik të Balit kanë sulmuar shtëpitë e fshatarëve në kërkim të diçkaje të shijshme.
Fshatarët në Sangeh thonë se majmunët me bisht të gjatë, të njohur si makaku, po qëndrojnë në çatitë e shtëpive të tyre dhe po presin kohën e duhur për t’u çlodhur dhe rrëmbyer një meze të lehtë.
Të shqetësuar se sulmet sporadike do të përshkallëzohen në një sulm të gjerë të majmunëve në fshat, banorët kanë dërguar fruta, kikirikë dhe ushqime të tjera në pyllin e majmunëve “Sangeh”, si përpjekje për të qetësuar primatët.
“Kemi frikë se majmunët e uritur do të bëhen të egër “, tha fshatari Saskara Gustu Alit.
Zakonisht, turizmi është burimi kryesor i të ardhurave për 4 milionë banorët e Balit, të cilët mirëpritën më shumë se 5 milionë vizitorë të huaj çdo vit para pandemisë.
Pylli i majmunëve “Sangeh” zakonisht kishte rreth 6 mijë vizitorë në muaj, por ndërsa pandemia u përhap vitin e kaluar dhe udhëtimet ndërkombëtare ranë në mënyrë dramatike, ai numër ra në rreth 500.
Majmunët gri mund të hanë një shumëllojshmëri kafshësh dhe bimësh që gjenden në xhungël, por ata në pyllin e majmunëve “ Sangeh” kanë pasur mjaft kontakte me njerëzit gjatë viteve, sa duket se preferojnë gjëra të tjera.