Kreu i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, po merr pjesë në Kongresin Botëror të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), i cili po mbahet në Marseille të Francës.
Themeluar më 1948, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) është organizatë ndërkombëtare që punon në fushën e ruajtjes së natyrës dhe përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, me fokus kryesor të mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Kosova është anëtarësuar më 13 Mars 2019, si shtet anëtar në këtë institucion, proces ky që është udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme në bashkërendim dhe koordinim të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Pas anëtarësimit në 2019, kjo është hera e parë që Republika e Kosovës do të merr pjesë në këtë kongres si vend anëtar, ku edhe në Asamblenë e Anëtarëve (organi më i lartë i organizatës) do të zgjedhet Këshilli i organizatës, e si vend anëtar, Republika e Kosovës do të mund të votojë për 3 kandidatë.
Funksionet kryesore të Kongresit Botëror janë: të definoj politikat e përgjithshme të organizatës, me ç’rast do t’u jap rekomandime qeverive dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare.