KQZ shpërndan materialin zgjedhor, gjithçka gati për raundin e dytë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të shtunë ka bërë shpërndarjen e materialit zgjedhor nëpër 21 komunat e vendit për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, raporton Ekonomia Online. Ky material i rëndësisë së veçantë, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, është shpërndarë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës për në komunat ku mbahet raundi i dytë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se edhe në këto zgjedhje numri i fletëvotimeve të shtypura është më i ulët se numri i përgjithshëm i votuesve në këtë raund. Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto 21 komuna është: 1 milion e 260 mijë e 571 votues. “Sipas vendimit të KQZ-së, numri i fletëvotimeve që janë shtypur për këtë raund është 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, rreth 10% apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij raundi”, tha Elezi.
Elezi bëri të ditur se KQZ-ja përveç organizimit të votimit në 1,638 vendvotime, do të mundësojë edhe votimin e personave me nevoja dhe rrethana të veçanta si dhe të atyre të infektuar me Covid-19. Sipas tij, KQZ-ja do të angazhojë 80 ekipe mobile vetëm për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të paaftësisë shëndetësore, fizike apo çfarëdo paaftësie tjetër.
“Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2,450, prej të cilëve 1,544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit”, njoftoi ai. Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera mobile për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me Covid-19. “30 ekipe mobile do të mundësojnë votimin e qytetarëve të cilët janë të infektuar me COVID-19 dhe që për shkak të masave kufizuese nuk mund të dalin nga izolimi për të votuar. Fatmirësisht, numri i rasteve aktive është i ulët dhe rrjedhimisht edhe i votuesve nga kjo kategori”, tha Elezi.
Të dielën mbahet raundi i dytëi zgjedhjeve lokale, ku 42 kandidatë do të përballen në balotazh për të fituar mandatin e kryetarit.