Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.T (1999) dhe E.T (2000) që të dy shtetas të Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” .
Mbrëmë rreth orës 21:45 në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, nga Shqipëria ka hyrë në Kosovë automjeti Peugeot 307 ngjyrë hiri, me vozitës E.T. (1999) dhe pasagjer E.T. (2000). Gjatë kontrollit nga ana e zyrtarëve është vërejtur ndërhyrje në automjet – ulëse të pasme, dhe automjeti është vendosur në skaner, ku pas kësaj ka rezultuar se ka ndërhyrje (bunker nën ulëse të pasme të pasagjerëve në veturë. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur nëntë (9) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë, me sasi prej 8 kg e 800.74 gram.
Në këtë rast, në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht:
Një automjet Peugeot 207 ngjyrë hiri dhe një (1) çelës i veturës;
Nëntë paketime, brenda me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit Kokainë me peshë gjithsej 8 kg e 800.74 gr;
Një telefon Samsung;
Një telefon Iphone 6S;
Para të gatshme 1475 euro dhe 200 Lekë.
Të pandehurit E.T (1999) dhe E.T (2000), me vendim të prokurorit të shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe për të njëjtit Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj me veprime të tjera procedurale.
Kapen nëntë kilogramë kokainë në Vërmicë, arrestohen dy shtetas të Shqipërisë