Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri në “Info Magazinë” në Klan Kosova ka folur për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 nëntorit.
Ai nuk e konsideroi si të pamundur një koalicion të tillë, përcjell Klankosova.tv.
“Aleanca jonë më e rëndsishme është ajo me qytetarët e Vushtrrisë, por ne jemi të gatshëm edhe për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, nëse ka vullnet me nga të dyja palët. Ne i kemi bërë ofertën tonë dhe po presim përgjigje edhe nga Vetëvendosja edhe nga subjektet e tjera politike”, u shpreh Tahiri.
Ai tha se synimi i tij është që qytetarëve të Vushtrrisë t’iu ofrojë një qeverisje cilësore.
“Puna jonë, angazhimi jonë do të jetë që në raundin e dytë gjithë angazhimi të kurorëzohet me një fitore dhe me vazhdimin e kësaj qeverisje të mirë. Do të vazhdojmë të punojmë me përulësi dhe me krenari për çka kemi punuar deri më tani dhe për planin që e kemi për mandatin e ardhshëm qeverisës. Synimi jonë nuk është pushteti, por që të ofrojmë një qeverisje cilësore për qytetarët e Vushtrrisë”, tha Tahiri.
Tutje, Tahiri tha se në qendër të programit qeverisës e kanë punësimin e grave dhe të rinjve.