Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbledhur sot Qendrën Operative Emergjente dhe Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë, duke e ngritur në nivelin e tretë gjendjen e gatishmërisë dhe mobilizimit ndërinstitucional për përballje me COVID-19.
Haziri ka thënë se vendimet e Qeverisë së Kosovës do të zbatohen në përpikëri nga Komuna, derisa ka bërë thirrje për një plan emergjent të Qeverisë së Kosovës që të vaksinojë masivisht qytetarët, për të krijuar imunizim kolektiv, si e vetmja mënyrë për të përballuar më lehtë virusin COVID-19.
“Nga sot nis zbatimi i masave të reja në shkallën më të lartë të emergjencave, në përputhje me numrin shumë të madh të të infektuarve dhe të vdekurve në vendin tonë dhe veçanërisht në Komunën e Gjilanit. Deri tani rreth 40 për qind e qytetarëve të Gjilanit janë vaksinuar dhe apelohet që edhe më tutje të vazhdojë vaksinimi për ta krijuar imunizimin e përgjithshëm. Sot Gjilani shpall gjendjen e emergjencave të nivelit të tretë dhe është e nivelit më të lartë, që lidhet edhe me vendimin e qeverisë, por edhe me numrin e madh të rasteve të vdekjeve dhe të infektuarve na detyron të intervenojmë. Qendra Operative e Emergjencave funksionon 24 orë dhe 7 ditë në javë deri në stabilizim të gjendjes, në koordinim me të gjitha njësitë e emergjencave ndërinstitucionale të Gjilanit”, tha Haziri.
Në bazë të statistikave në Komunën e Gjilanit janë 1563 raste aktive, të shtruar në spital janë gjithsej 131 pacientë, derisa ndihmën ditore të ekipit të mjekut janë duke e kërkuar rreth 80 pacientë që po trajtohen në shtëpi, derisa të vaksinuar deri tani janë 42 mijë e 496 qytetarë.