Franca ka thënë se po i tërheq ambasadorët e saj në SHBA dhe Australi për konsultime, në shenjë proteste ndaj një marrëveshjeje sigurie e cila e përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ministri i Jashtëm francez tha se ky vendim i jashtëzakonshëm justifikohet me dinamikën e jashtëzakonshme të situatës, njofton Klan Kosova.
Aleanca, e njohur si Aukus, do t’i mundësojë Australisë që t’i jepet teknologjia për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore, shkruan BBC.
Ky veprim zemëroi Francën pasi anuloi një marrëveshje shumë miliardë dollarëshe që kishte nënshkruar me Australinë.
Marrëveshja po shihet si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Pekinit në detin e kontestuar të Kinës Jugore.
Për këtë marrëveshje njoftuan të mërkurën presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologu i tij australian Scott Morrison.
Pakti do të thotë që Australia do të bëhet vendi i shtatë në botë që mund të operojë me nëndetëse me energji bërthamore. Përmes kësaj marrëveshje aleatët do të ndajnë edhe eksperiencat në kibernetikë, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e tjera nënujore.