Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i takon një brezi të ri politikanësh. Ndonëse me profesion është ekonomist, veprimtaria e tij është shtrirë më shumë në politikë, shkruan Kosova Post.
Megjithëse “i ekspozuar” përpara vëmendjes së opinionit publik tash e një kohë të gjatë, shumë anë të personalitetit të tij, mbeten të pandriçuara.
Një fakt interesant, të cilit Kosova Post i ka rënë në gjurmë, është edhe lidhja e tij me besimin islam. Se sa është musliman i devotshëm Abdixhiku, e tregon një ajet kuranor i cili i figuron në tezën e tij të doktoraturës.
“Në emër të Zotit, mëshiruesit, mëshirbërësit” – është një ajet i cilësuar si çelës, i çdo sureje në Kur-an, me të cilin Abdixhiku e hapë tezën e tij të doktoraturës.
Ai ka doktoruar në vitin 2013-të në “STAFFORDSHIRE UNIVERSITY BUSINESS SCHOOL” me temë:
“DETERMINANTS OF BUSINESS TAX EVASION IN TRANSITION ECONOMIES”.
Për shumë kë, ky nuk është një fakt që çon peshë, e për shumë të tjerë mund të ketë relevancë. Në biografinë e Abdixhikut, natyrisht, figuron informata se kur dhe ku ka doktoruar ai. Madje edhe në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook.
Abdixhiku ka marrë drejtimin e LDK-së në një kohë krize për këtë subjekt politik, ndërsa synimet e tij janë të larta, siç ka deklaruar edhe vetë. Zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen këtë vjeshtë, janë sprova e parë serioze për të si lider i partisë./KosovaPost/