Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar pas miratimit nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve të fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Në reagimin e DnV-së thuhet që KQZ-ja me këtë rast ka anashkaluar dizajnet e reja të propozuara nga shoqëria civile, duke u arsyetuar në afatet e shkurtra, memorizimin e fletëvotimit aktual nga ana e votuesve, ndryshimet e mëdha në dizajnin e ri dhe hutinë që mund të shkaktohet tek votuesit.
“Dizajni i ri, me iniciativë të shoqërisë civile, ishte përpiluar nga një grup ekspertëve të fushës, si dhe ishte testuar me 1,200 qytetarë – duke rezultuar në përqindje më të vogël të fletëvotimeve të pavlefshme. I njëjti dizajn kishte edhe përkrahjen e Sekretariatit të KQZ-së. Gjithashtu, afatet e zgjedhjeve të rregullta janë optimale për një avancim të tillë të natyrës vizuele të fletëvotimit, përmes së cilit adresohen pjesët problematike të fletëvotimit, sidomos duke ditur se ende nuk është zhvilluar asnjë kampanjë për informim publik që përmban dizajnin e fletëvotimit. Kurse, përdorimi i të njëjtit fletëvotim që nga viti 2007, nuk ka bërë që ai të memorizohet nga votuesit, por përkundrazi, numri i fletëvotimeve të pavlefshme është rritur vazhdimisht”, thuhet në reagim.
Tutje theksohet që ky vendim i KQZ-së nuk kontribuon në përmirësimin e procesit zgjedhor, si dhe anashkalon një rekomandim të përsëritur tash e sa procese zgjedhore si nga raportet e misioneve vendore të vëzhgimit të zgjedhjeve, ashtu edhe të atyre ndërkombëtare.
“Prandaj, Demokracia në Veprim kërkon që ky vendim i KQZ-së të rishikohet dhe të ndryshohet. Avancimi i elementeve të procesit zgjedhor, sidomos atyre që kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek votimi, që ulin gabimet dhe votat e pavlefshme, që lehtësojnë votimin për të gjitha kategoritë e votuesve, duhet të jenë prioritet për anëtarët e KQZ-së”.