Analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi ka komentuar vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd.
Ai tha se në darkën e shtruar nga Vuçiqi, kryeministrit shqiptar i shërbeu ‘gjak’ shqiptari dhe jo verë serbe.
“Rama e Vuçiq nën dritën e zverdhur e të zbehtë të qiririt ngritën dolli në Beograd, me gotat e mbushura me ‘verë serbe’ por në fakt ai i shërbente Ramës “gjak” shqiptari. Me “gjak” shqiptari Rama e Vuçiq ngritën dolli të kremtonin Ballkanin e hapur përplot me dhimbje, me plagë të hapura e të pashëruara, kremtonin Ballkanin e varrezave të hapura që i presin kufomat për 22 vite. Kremtonte hareshëm Rama, me muzikë çetnike sepse ai s’e kishte ndjerë ndonjëherë thellë në shpirtin e tij, si bajonetat serbe ishin përplasur mbi djepat shqiptarë, si kishin shqyer barqet e nënave shtatzëna, as Rama s’ndjente një mal dhimbjesh dardane, e as Vuçiq s’tregonte pendim”, deklaroi analisti.
Sipas Bekteshit, darka e Beogradit ishte një natë ‘magjike’ e dy njerëzve të gjatë, njëri ‘kopil’ serb e tjetri shqiptar, dy të gjatët e ‘Ballkanit të Hapur’
“Rama kremtoi me ritual serb ‘darkën e fshehtë’ të tre gjenocideve serbe mbi shqiptarët, tre dëbimeve masive të shqiptarëve nga tokat e tyre, me verë serbe përzier me ‘gjak’ shqiptari. Rama dehet me çdo gjë serbe, me verën e saj, muzikën, dehet me rreshtat famëkeq të Memorandumit të Çubriloviqit. Darka e Beogradit ishte një natë ‘magjike’ e dy njerëzve të gjatë, njëri ‘kopil’ serb e tjetri shqiptar, dy të gjatët e ‘Ballkanit të Hapur’ që mundohen t’ia zgjasin jetën politike njëri-tjetrit, por në fakt Vuçiqi me Ballkanin e Hapur fsheh tentimet e tij të përhershme me prapaskena bizare ndaj Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës, duke ia hapur derën agonisë ballkanike për hatër të Rusisë”, theksoi ai.
Në vazhdim, analisti nga Amerika kritikoi ashpër Ramës, duke thënë se ai i ka harruar të gjitha gjenocidet serbe.
Gjithashtu, ai tha se Rama harroi çdo gjë në atë natë, vetëm nuk harroi të kritikonte Kosovën nga sofra e armikut.
“Rama harroi se për nder të tij ishte shtruar një sofër e ‘përgjaktë’, por ai, i dehur me “magjinë” e intrigave serbe, atë natë amnistoi të gjitha krimet serbe (1876-80, 1910-13, 1918-20, 1940-45, 1998-99), Rama amnistoi Serbinë nga të gjitha gjenocidet serbe, i harroi varret masive, të pagjeturit, harroi se eskadrilat e Vuçiqit viktimat shqiptare i mbyllte në shtëpi, ua vinte flakën dhe të gjallë i shkrumbonte, i harroi të gjitha, i harroi motrat shqiptare të dhunuara, dhe disa pasi dhunoheshin dhe vriteshin, i harroi kufomat e viktimave që vriteshin për të dytën herë duke i ndezur nëpër furra fabrikash për të fshehur gjurmët e krimit. Çdo gjë harroi Rama atë ‘natë të madhe ortodokse’ por s’harroi të kritikonte Kosovën nga sofra e armikut”, nënvizoi Bekteshi.
Po ashtu, ai potencoi se Rama ishte ‘memec’ kur duhej të mbrohet e drejta, dinjiteti njerëzor, në Ballkanin e tij të Hapur, por që në fakt është një Ballkan i mbyllur tmerrësisht keq.
“Rama dukej i buzëqeshur e i harlisur në Beograd si kurrë më pare, sa që asnjëherë s’mund ta shohësh të tillë edhe në Prishtinë. Ai lëvdoi Serbinë për investime, e arsyetoi Vuçiqin për djegien e flamurit shqiptar, foli për kërkim faljen në vend të Vuçiqit që duheshka të vij në fund e jo në fillim të dialogut, por s’tha asnjë fjalë për Mig-ët rus që gjëmonin afër kufirit me Kosovën, asnjë fjalë për kthimin mbrapshtë të sportistëve kosovarë, duke ua mohuar një kampionat botëror, duke i privuar sportistët nga ëndrra dhe shansi jetësorë, duke ia mohuar Kosovës medaljet eventuale. Po, Rama ishte ‘memec’ kur duhej të mbrohet e drejta, dinjiteti njerëzor, në Ballkanin e tij të Hapur, por që në fakt është një Ballkan i mbyllur tmerrësisht keq”, tha ndër të tjera analisti.
Madje, Bekteshi e përmendi faktin se Rama po përkrahet edhe nga disa parti politike në Kosovë, siç është PDK-ja dhe Pacolli.
Tutje, rikujtoi edhe takimin Kurti-Rama në Prishtinë, në të cilin mori pjesë edhe Rexhep Qosja, pas të cilit mendohej se do të ndaleshin kritikat e kryeministrit të Shqipërisë ndaj Kosovës.
“Derisa, dy shteteve tona po u ndodh një realitet i zymtë me këtë kryeministër të frikshëm për të udhëhequr vendin, me një kryeministër që ia ka kthyer shpinën Kosovës dhe mban krahun e hasmit tani më për një kohe të gjatë, por që paradoksalisht, Rama po gjen përkrahje nga disa parti kosovare si PDK-ja dhe Pacolli.
Kohë më parë, kur menduam se Qosja bëri një lëvizje për të bashkuar Ramën dhe Kurtin, kur menduam se Rama do t’i ndalte kritikat ndaj Kosovës dhe do ta përkrahte atë, ndodhi e kundërta. Takimi i Prishtinës kishte ndodhur për aq kohë sa Rama të dekoronte Qosjen, e ai, Qosja, për ta ngrit në qiell Ramën, pa meritueshëm. Edhe pas qëndrimeve të vazhdueshme antikombëtare të Rames, Qosja vazhdon të hesht turpshëm, duke mos e ngrit zërin kundër veprimeve antikombëtare të Rames që kanë ndikim direkt në zhvillimet kyçe kur po ndodh edhe dialogu”, shpjegoi Bekteshi.
Krahas kësaj, tha se edhe shkrimtari Kadare është i vetëdijshëm se sa me mund janë krijuar dy shtetet tona, dhe tani kur është koha për të bashkuar forcat tona të përbashkëta, ndodh e kundërta.
“Derisa, pritjet janë të mëdha nga Kadareja, nga njeriu më me ndikimin në botën shqiptare, që të prononcohet për marrëdhëniet jo dhe aq vëllazërore në mes dy shteteve tona, që kanë hy në një qorrsokak për shkak të sjelljeve të çuditshme të Kryeministrit Rama. Kadare është i vetëdijshëm se sa me mund janë krijuar dy shtetet tona, dhe tani kur është koha për të bashkuar forcat tona të përbashkëta, ndodh e kundërta. Nuk dua të besoj se Kadare nuk ia prish Ramës për shkak se Rama e emëroi ambasadore në OKB vajzën e Kadaresë dhe tani pas skadimit të mandatin edhe në një pozitë të rëndësishme, që dorën në zemër ambasadorja Besiana Kadare ka bërë një punë te jashtëzakonshme për Shqipërinë”, u shpreh ai.
Në fund, analisti nga Amerika deklaroi se në darkën e Beogradit u bë edhe një tentim i kryqëzimit të Kosovës nga Rama dhe ‘vëllai’ i tij.
“Heshtja e një njeriu të madh si Kadare në momente kyçë të historisë sonë na shtynë edhe të spekulojmë. Nëse zërat kryesor dhe ndërgjegjja e tyre hesht në momente kritike për atdheun, atëherë duhet ta dimë se kambanat po bien për një kujdes imediat.
Në darkën e Beogradit u bë edhe një tentim i kryqëzimit të Kosovës nga Rama dhe ‘vëllai’ i tij, derisa “baballarët” e kombit ose heshtin ose e ngritën në piedestal gozhduesin e Kosovës!”, përfundoi Ramazan Bekteshi.