
Furnizimi me naftë për ngrohje u bë javën e kaluar. Por njëmijë litra të kësaj lënde djegëse, që do të duhej të ishin në rezervuarin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Ponoshec të Gjakovës, mungojnë.
Kjo u vërejt sot nga stafi teknik aty, të cilët më pas lajmëruan policinë. Kështu, ky u bë rasti i katërt identik që Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë gjatë kësaj jave denoncoi tek organet e rendit.
I pari është ai në QMF-në në fshatin Brekoc, derisa të mërkurën mungesa e derivatit u vërejt në ambulancat në Cermjan dhe Skivjan.
Policia tashmë ka nisur hetimet për të gjitha këto raste që janë cilësuar si vjedhje, derisa nuk ka ende të dyshuar.